Albania: Presentation in Parliament of new draft law of for energy efficiency, Posted: 06 October 2015 (article in Albanian)

Prezantohet në Kuvend projektligji i ri për efiçencën e energjisë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri ishte sot në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese ku prezantoi projektligjin e ri për “Efiçencën e energjisë”.

Ministri deklaroi se efiçenca e energjisë është një prioritet i rëndësishem si politik ashtu edhe ekonomik, pasi sot konsiderohet në mënyrë indirekte si një burim alternativ energjie akoma i pashfrytëzuar mirë.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet krijimi i kuadrit ligjor të nevojshëm për hartimin dhe zbatimin e një politike kombëtare për nxitjen, promovimin dhe përmirësimin e përdorimit efiçent të energjisë, me synim kursimin e saj.

Draftligji i ri “Për Efiҫencën e Energjisë”, për të shmangur të gjitha problematikat e hasura nga ligji i 2005-s, synon të trajtojë qartësisht politikat e efiçencës së energjisë. Ky projekt-akt synon të gjejë zbatim për shoqëritë e prodhimit dhe të transformimit të energjisë, shoqëritë e shpërndarjes së energjisë, shoqëritë e shitjes me pakicë të energjisë, konsumatorët fundorë, siguruesit e masave të përmirësimit të efiçencës së energjisë.

Ligji parashikon caktimin e një institucioni përgjegjës për efiçencën e energjisë dhe nënkupton çdo lloj organi shtetëror ekzistues ose i ri, në varësi të ministrisë përgjegjëse për energjinë që ka përgjegjësinë për nxitjen dhe zbatimin e masave dhe politikave për efiçencën e energjisë dhe kursimin e saj, duke i ngarkuar detyrat përkatëse, në zbatim të detyrave dhe përgjegjësive.

Gjithashtu përcaktohen qartë detyrat dhe përgjegjësitë që duhet të ketë kjo agjensi përgjegjëse për efiçencën e energjisë dhe për sa kohe nuk është themeluar Agjencia përgjegjëse për efiçiencës së energjisë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë është përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara nga ky projektakt.

Ligji i ri mundëson që përveç Agjencisë së Efiçencës të krijohet edhe fondi i efiçencës së energjisë. “Është e rëndësishme që të diskutohet për format e financimit në të cilat mund të përfshihen edhe organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, donatorët të mund të krijojnë për herë të parë një fond i cili do të beje të mundur ne kete mënyrë nxitjen e këtyre iniciativa që kanë të bëjnë me standardet më të mira përsa i përket efiçencës”, theksoi Ministri.

Sipas tij, shteti është në pozicionin më të mirë për te paraprire, për të promovuar këto standarde në godina publike. Ashtu si keta shembujt, duhet të shkojmë në këtë drejtim, nëpërmjet “project financing”, pra me projekte të mirëfillta financiare që i intereson edhe biznesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.