Issues of the Draft Law on Bankruptcy Interview with Sabina Lalaj Magazine Monitor

Çështje të draftit të
ligjit për Falimentin Intervistë me Sabina Lalaj, Drejtuese e Departamentit
Ligjor, Deloitte Albania publikuar në revistën e përjavshme Monitor

Mendoj se një diskutim të veçantë do të krijojë neni 146 i
projektligjit për falimentimin, nëse do të miratohet në formën që është hartuar
aktualisht. Më saktësisht ky nen përcakton shpërndarjen e pasurisë sipas radhës
së preferimit, radhë kjo deri më tani e rregulluar nga neni 605 i Kodit Civil
të Republikës së Shqipërisë. Projektligji për falimentimin, në nenin 146,
përcakton një radhë të ndryshme preferimi, nga ajo e përcaktuar në nenin e
sipërpërmendur të Kodit Civil. Pra kemi dy dispozita të ndryshme për radhën e
preferimit të kreditorëve. Mendoj se kjo mospërputhje e normave do të bëhet
objekt diskutimi dhe interpretimi midis palëve në procesin e falimentimit, pra
debitorit, kreditorëve, gjykatës dhe administratorit të falimentit.

Gjithashtu, pavarësisht ndryshimeve pozitive, projektligji
në mjaft nene përdor referenca në afate të papërcaktuara, si “afat i
mjaftueshëm”, ose “afat i arsyeshëm”, etj. Kjo mungesë përcaktimi do të nxisë
diskutime midis kreditorëve, gjykatësit dhe administratorit të falimentimit për
pëcaktimin e përkufizimit të saktë të afatit të mjaftueshëm/arsyeshëm. Do të
ishte me vend përcaktimi i afateve konkrete në ligj, në mënyrë që të mundësohet
një proces i shpejtë dhe efiçent për kryerjen e riorganizimit apo likuidimit.

Moszbatimi i ligjit
deri me sot kujt faktoreve i dedikohet?

Një nga arsyet kryesore të moszbatimit të ligjit të
falimentit deri më sot ka qenë paaftësia paguese e subjekteve në falimentim,
pra pamjaftueshmeria e masës së falimentit, që nuk mundësonte mbulimin e
shpenzimeve të procedurës se falimentimit.

Projektligji vjen me një zgjidhje për këtë problem, duke
parashikuar krijimin e një fondi publik të posaçëm i cili sipas përkufizimit të
dhënë do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Falimentimit. Ky fond i
posaçëm publik do të përdoret për mbulimin e shpenzimeve të procedurës në rastet
kur masa e falimentimit është e pamjaftueshme.

Sipas nenit 28 të projektligjit fondi i posaçëm publik
krijohet përmes kontributeve nga buxheti i shtetit, nga detyrimet financiare të
debitorëve që likuidohen, si dhe nga burime të tjera që do të përcaktohen me
Vendim të Këshillit të Ministrave. Po me vendim të Këshillit të Ministrave do
të përcaktohet dhe përqindja e masës së falimentimit që do të kalojë në fondin
e posaçëm.

Duhet theksuar se sipas radhës së preferimit të përcaktuar
në nenin 146 të projektligjit, detyrimet financiare ndaj fondit të posaçëm janë
në radhën shtatë, kundrejt kreditorëve të tjerë. Në këto kushte mendoj se
peshën kryesore të financimit të fondit të posaçëm të paktën për vitet e para
të zbatimit të këtij ligji do ta mbartë buxheti i shtetit.

A rrezikon pr/ligji
per falimentin qe te shkaktoje “perplasje” me funksionin e bankave?

Projektligji në kreun pjesa e gjashtë “Mjetet dhe procedurat
për parandalimin e likuidimit. Riorganizimi dhe ristrukturimi i borxhit”
parashikon mundësinë e parandalimit të likudimit nëpërmjet ristrukturimit të
borxhit.

Në nenet 171-176 parashikohet mënyra e realizimit të
ristrukturimit të borxhit për të shmangur hapjen e procedurës së falimentimit.
Debitori ka të drejtën të kërkojë nga kreditorët një marrëveshje për
ristrukturimin e borxhit e cila miratohet në gjykatë, pasi miratohet nga
shumica e kreditorëve. Në këto nene nuk përcaktohet asnjë e drejtë e veçantë
për kreditorët e siguruar banka apo institucione financiare jo banka.

Marrëveshja e ristrukturimit e miratuar nga gjykata,
përfaqëson një kapërcim të vullnetit kontraktor kur kemi të bëjmë me
ristrukturimin e detyrueshëm të një kontrate lidhur midis debitorit kreditorit,
i cili nuk e ka miratuar këtë ristrukturim.

Kjo risi ka qenë një çështje e diskutuar nga përfaqësuesit e
sektorit bankar, të cilët kanë sugjeruar si masë mbrojtje përfshirjen në ligj
të cilësimit se nevojitet miratimi i shumicës se kreditorëve të siguruar banka
apo institucione financiare për pranimin nga gjykata të çdo ristrukturimi të
borxhit sipas neneve të sipërcituara.

Cfare sjell te re
pr/ligj per individin, po per biznesin

Projektligji e zgjeron rrethin e subjekteve për të cilët
zbatohet ky ligj me familjet bujqësore, personat juridike publikë, organizatat
jo fitim-prurëse që ndjekin qëllime ekonomike dhe me njesitë administrative
vendore. Këto të fundit janë subjekt vetëm i procedurës së riorganizimit.

Përsa u takon individëve në projektligj parashikohet mënyra
e shtrirjes së procedurës së falimentit mbi pasuritë e trashëgimlënësit,
bashkëpronësinë e bashkëshortëve në përputhje me regjimin e bashkësisë ligjore
apo asaj me kontratë etj.

Përsa i takon biznesit, prjektligji ka propozuar shfuqizimin
e nenit 104 te Ligjit Nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në
Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, sipas të cilit midis të tjerash,
administrata tatimore kërkon në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit
për tatimpaguesit, shoqëri tregtare që deklarojnë rezultat me humbje të
kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht.

Ky ndryshim i sugjeruar nga projektligji, shmang përfshirjen
në procedura të falimentimit të subjekteve tregtare që për arsye të llojit të
aktivitetit që kryejnë, nuk mund të gjenerojnë fitime në vitet e para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *